
Një vizion që jeton përtej kohës
Ka figura që nuk shfaqen në histori me zhurmë, por që e ndryshojnë rrjedhën e saj me këmbëngulje, durim dhe besim. Baba Hekuran Nikollari është një prej tyre. Historia e tij nuk nis në sallat e institucioneve dhe as në qendrat e pushtetit, por në fshatra, në rrugë të vështira malore, në teqe të rrënuara dhe në njerëz që kishin humbur shpresën. Në vitet kur Shqipëria përjetonte një nga periudhat më të trazuara të saj, kur emigracioni boshatiste fshatra e qytete, kur kultura dhe arsimi po veniteshin dhe besimi ishte kthyer në një nocion të mjegullt, Baba Hekuran Nikollari zgjodhi një rrugë të kundërt: të ndërtojë, të bashkojë dhe të ringjallë. Ai nuk foli shumë për misionin e tij; e tregoi atë me vepra.
Teqetë e Alipostivanit, Frashërit, Përmetit dhe Cfratit nuk ishin thjesht objekte kulti që u rindërtuan. Ato u shndërruan në hapësira ku njerëzit gjetën punë, dinjitet, edukim, kulturë dhe ndjenjën e përkatësisë. Aty u takuan breza, fe, krahina dhe fate njerëzore që, në rrethana të tjera, do të kishin mbetur të ndara.
Ky kapitull është një udhëtim në këtë epokë. Përmes fakteve, dëshmive dhe analizës, lexuesi ftohet të njohë jo vetëm jetën dhe veprën e Baba Hekuran Nikollarit, por edhe një periudhë të rëndësishme të historisë sonë të afërt, të parë nga këndvështrimi i atyre që e ndërtuan shpresën nga themelet. Kjo është një ftesë për të kuptuar se si, edhe në kohë errësire, drita mund të ndizet nga një njeri i vetëm - nëse ai ka besim, vizion dhe dashuri për njeriun dhe atdheun.
Modeli dhe trashëgimia
Baba Hekuran Nikollari ofroi një model që duhet marrë shembull. Trashëgimia që ai la, nuk janë vetëm teqetë e ngritura, rrugët e hapura apo brezat e formuar, por një model i rrallë që dëshmon se si besimi, kur bëhet vepër, shndërrohet në forcë transformuese të shoqërisë. Në një kohë kur shumëkush kërkonte shpëtim jashtë, Baba Hekuran Nikollari ndërtoi shpëtimin brenda:në tokë, në punë, te njeriu.
Ai krijoi një rend të heshtur, por të qëndrueshëm, ku dinjiteti fitohet me djersë dhe respekti me vepër. Dhe pikërisht kjo vepër, e lindur larg zhurmës dhe e rritur në përulësi, do të dilte më pas në dritën e njohjes publike - jo si dekorim formal, por si vulë e një autoriteti moral të fituar në terren, aty ku ndërtohen jo vetëm vende, por historia vetë.
Nga Këlcyre në Piskovë dhe Kosinë, që andej në Muçej, Mokricë, Sevran, Kreshovë e Frashër, sikundër nga Permeti në Cfrat, e Tepelenë, etj, për të kapërcyer deri në Kolonjë dhe Gjirokastër dukshëm reflektohet vepra e Baba Hekuran Nikollarit dhe jo vetëm. Ndonëse në pamje të parë njësi administrative dhe Bashki si shumë të tjera të jugut shqiptar, në thelb janë hapësira ku vizioni shoqëror i Baba Hekuran Nikollarit mori trajtë konkrete. Besimi, puna, edukimi, kultura dhe rinia u bënë një trup i vetëm. Jo si koncept teorik, por si praktikë e përditshme jete. Në një shoqëri të lodhur nga tranzicioni, Baba Hekurani e kuptoi herët se kriza më e madhe nuk ishte ekonomike, por morale dhe orientuese. Rinia kishte humbur busullën. Perspektiva ishte shuar. Institucionet mungonin. Në këtë zbrazëti, ai nuk ngriti akuza, por ndërtoi alternativa.
