Vizioni i Baba Hekuranit
VAZHDON...

Riparohet rruga 10 km deri në Teqen së Alipostivanit
Në kuadër të përgatitjeve për festën tradicionale të 14 Majit, Këshilli i Teqesë së Alipostivan ndërmori një aksion për riparimin e rrugës që lidh varrezat e Piskovë me teqenë. Segmenti prej rreth 10 kilometrash u sistemua me çakull, duke përmirësuar ndjeshëm aksesin për besimtarët dhe pelegrinët. Sipas përfaqësuesit të këshillit, Asllanit, kjo ndërhyrje është në vijim të vizionit të Baba Hekuran Nikollari: “Ky është një vazhdim i veprës së tij, i cili e bëri këtë rrugë të aksesueshme dhe e përgatiti për asfaltim.” Në realizimin e këtij projekti ka pasur edhe mbështetje nga Bashkia Përmet.
Alipostivan: Rruga me kalldrëm drejt teqesë merr formë përfundimtare
3.900 m² investim që transformon hyrjen në kompleks
Një tjetër projekt i rëndësishëm është përmbyllur në Alipostivan, ku rruga automobilistike që të çon drejt portës kryesore të teqesë është shtruar me kalldrëm në një sipërfaqe prej 3.900 metrash katrorë. Ky investim është realizuar në kuadër të vizionit të Baba Hekuran Nikollari, duke harmonizuar infrastrukturën rrugore me ansamblin arkitektonik të kompleksit.
Një hyrje dinjitoze për pelegrinët dhe turistët
Punimet kanë nisur më 10 korrik 2025 dhe kanë përfunduar më 10 maj 2026, duke krijuar një aks hyrës të strukturuar dhe estetikisht të integruar me muret mbajtëse dhe ambientin përreth. Sipas besimtarëve, kalldrëmi i ri krijon një atmosferë të veçantë mirëseardhjeje, duke i dhënë hyrjes së teqesë një dimension më dinjitoz dhe simbolik.
Tradita e gurit në funksion të vizionit
Mjeshtri i gurit, Sazan Zaimaj shprehet: “Kjo rrugë nuk ishte thjesht një punë ndërtimi, por një prioritet i Baba Hekuranit. Ndihem i vlerësuar që mora pjesë në realizimin e saj.” Ky projekt konsiderohet si pjesë e vazhdimësisë së veprave që po realizohen nga Këshilli i Teqesë, në përmbushje të amaneteve të lëna nga Baba Hekurani.

Mekami i Zleushës drejt përurimit - përmbyllet ndërtimi i tyrbes
Në zonën e Zleushë, një nga hapësirat me traditë të hershme bektashiane, është drejt përfundimit ndërtimi i tyrbes së re - një projekt që mban firmën dhe vizionin e Baba Hekuran Nikollari. Punimet, të cilat kanë avancuar në mënyrë të qëndrueshme, pritet të kulmojnë me përurimin e afërt të objektit të kultit. Tyrbja është projektuar në përputhje me simbolikën dhe formën tradicionale të arkitekturës bektashiane, duke ruajtur identitetin shpirtëror të vendit. Sipas ndërtuesit Mentor Lahe, objekti është realizuar me standarde të larta ndërtimi, duke harmonizuar traditën me teknikat bashkëkohore.
Nga një përjetim në një vepër konkrete
Nisma për ndërtimin e tyrbes lidhet me një përjetim të veçantë të Baba Hekuranit në vitin 2023, i cili më pas e vizitoi vendin dhe vendosi piketat e projektit në terren. Me mbështetjen e komunitetit lokal dhe të Këshillit të Teqesë së Alipostivan, ideja mori formë dhe u kthye në realitet.
Infrastruktura, hapi i parë
Para nisjes së ndërtimit, u realizua një investim i rëndësishëm në infrastrukturë: rindërtimi i segmentit rrugor prej rreth 4 km që lidh Piskovë me Zleushën. Ky ndërhyrje krijoi kushtet për transportin e materialeve dhe zhvillimin e punimeve.
Sot, tyrbja në Zleushë konsiderohet një pikë e re referimi shpirtëror, duke krijuar një aks simbolik lidhjeje me qendrat e tjera bektashiane të zonës.


Ndërtohet depoja e ujit në Alipostivan
Investim strategjik për funksionalitetin dhe mirëmbajtjen e kompleksit
Në vijim të projekteve infrastrukturore në Alipostivan, është përfunduar edhe ndërtimi i një depoje uji me kapacitet të konsiderueshëm, e pozicionuar në pjesën lindore të teqesë. Depoja ka përmasa 28 metra gjatësi, 7 metra gjerësi dhe 3 metra lartësi, me një kapacitet prej rreth 588 mijë litrash ujë.
Një zgjidhje funksionale dhe afatgjatë
Punimet për ndërtimin e depos kanë nisur më 1 prill 2025 dhe janë përfunduar në fund të muajit korrik të po atij viti. Ky investim shërben për:
• vaditjen e pemëve dhe hapësirave të gjelbra
• grumbullimin dhe menaxhimin e ujërave gjatë reshjeve
• përmirësimin e qëndrueshmërisë funksionale të kompleksit
Një amanet i kthyer në realitet
Ndërtuesi Meti Lahe thekson dimensionin shpirtëror të kësaj vepre: “Kjo ishte një punë që e ndjemë si amanet nga Baba Hekurani. Realizimi i saj na jep një ndjenjë të veçantë përmbushjeje.” Depoja e ujit konsiderohet një element kyç në mbështetje të zhvillimit dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të kompleksit të teqesë.
