Alipostivan: 14 Maj një mirëseardhje shpirtërore
- 1 day ago
- 1 min read

Festa e 14 Majit në Alipostivan – një mirëseardhje shpirtërore
Sot, në Teqenë - qytezë shpirtërore të Alipostivanit, festohet një nga ditët më të rëndësishme për besimtarët bektashinj: 14 maji – dita e pelegrinazhit dhe e themelimit të Teqesë së Baba Aliut. Qindra e mijëra besimtarë, por edhe qytetarë pa dallim besimi, janë mbledhur për të kremtuar këtë ditë të shenjtë, në një atmosferë paqeje, përkushtimi dhe bashkimi shpirtëror.
Edhe pse kjo festë i ka rrënjët që në kohën e Baba Aliut, ajo mori përmasa të reja në epokën e Baba Hekuran Nikollarit. Që nga viti 1999, me organizimin e pelegrinazhit të parë pas komunizmit, ai e shndërroi Teqenë e Alipostivanit në një qendër të fuqishme shpirtërore për gjithë zonën dhe më gjerë. Mikpritje që të fton në strehën shpirtërore
Këshilli i teqes është angazhuar plotësisht për mbarëvajtjen e kësaj dite. Rregulli, pastërtia dhe shërbimi i përkushtuar krijojnë një atmosferë ku çdo besimtar ndihet i mirëpritur dhe i respektuar. Janë siguruar të gjitha kushtet për kryerjen e riteve dhe për përgatitjen e kurbaneve, duke ruajtur traditën dhe dinjitetin e kësaj feste.
Një përjetim që shkon përtej festës
Teqeja e Alipostivanit nuk është thjesht një vend ku zhvillohet një ceremoni.
Është një hapësirë që përjetohet. Një kompleks-qytezë ku vizioni, qetësia dhe frymëzimi bashkëjetojnë në harmoni, duke e kthyer këtë vend në një prani të gjallë shpirtërore. Në këtë 14 maj, Alipostivani nuk është vetëm një destinacion pelegrinazhi - është një pikëtakim besimi, kujtese dhe shprese.


Comments