top of page

KLERIKU EPOKAL 
BABA HEKURAN NIKOLLARI

WhatsApp Image 2026-05-11 at 10.48.18 AM.jpeg
WhatsApp Image 2026-05-11 at 9.55.06 AM.jpeg

POTRET I BABA HEKURAN NIKOLLARIT
Baba Hekuran Nikollari , kleriku epokal zë një vend të veçanta në historinë e Bektashizmit bashkëkohor dhe në kujtesën shpirtërore të shqiptarëve. Figura e tij ndërtohet mbi dy shtylla të patundshme: besimin dhe atdhedashurinë. Ai erdhi në jetë në një kohë kur aparati shtetëror komunist përgatiste projektet më të errëta kundër fesë, të cilat kulmuan në vitin 1967 me rrënimin e objekteve të kultit dhe persekutimin barbar të klerikëve. Pikërisht në këtë atmosferë shtypjeje, në “mekamin” e Nakos, u përkund dhe u formua një ndër misionarët më të rëndësishëm të besimit bektashi.
Rrënjët e formimit
Familja ishte djepi i parë i karakterit të tij. I ati Fejzo, dikur emigrant në Francë, mishëronte dinjitetin, ndershmërinë dhe sakrificën; prej tij, Hekurani trashëgoi dashurinë për vendin dhe etikën e punës së ndershme. Nënë Vezirja, me urtësinë, mirësinë dhe humanizmin e saj, i dha dritën e butë shpirtërore që e shoqëroi gjithë jetën. Në damarët e tij rridhnin rrënjë të thella patriotizmi, trashëgimi e gjyshërve dhe stërgjyshëve që kishin mbajtur gjallë frymën e kombit dhe të besimit.
Ndonëse u rrit nën mbretërimin e propagandës alla-gebel¬siane, ai u rezistoi klisheve të kohës. Ninullat e nënës dhe përmendja e Zotit ishin dritë e fshehtë që nuk mund ta shuante as diktatura.

 

Hapat e pare drejt kulturës dhe shpirtit
Qysh fëmijë, Hekurani kërkonte dije. Dysheku i tij i natës ishte libri. Ai lexonte me pasion veprat e Naimit - Lulet e Verës, Bagëti e Bujqësi, Qerbelaja - si dhe veprat e Samiut, Migjenit, Mjedës, Pashko Vasos, Kadaresë, Agollit, Shuteriqit, Godos, Bulka-s, Çulit e shumë të tjerëve. Duke “gërmuar” në sundukun e nënës, zbuloi literaturë fetare, të cilën e lexoi fshehurazi dhe me mallin e një shpirti që kërkon rrënjët e veta.
“Qerbelaja” dhe “Fletore e bektashinjve” e brumosën thellë me filozofinë e Bektashizmit shqiptar. Këto vepra i hapën udhën e formimit shpirtëror dhe e afruan me figurat e mëdha të urdhrit: me Nasibiun në Frashër, Baba Hajdar Hodon në zonat e Përmetit, dhe Baba Kamberin në Pagri, të cilit më vonë i dha krahë pasardhësi i tij, Napolon Meço – bashkëpunëtor i pandarë i misionit të Baba Hekuranit. 
Përmeti dhe Këlcyra - trualle të shenjtërisë kombëtare
Vendlindja e tij, Përmeti dhe Këlcyra ishin “akademi” natyrore. Përmeti me traditë të gjatë kombformuese kishte nxjerrë në jetë vëllezërit Frashëri, Odhise Paskalin, Nonda Bulkën, Tefta Tashko Koçon, Mentor Xhemalin, Laver Bariun e shumë figura të tjera të kulturës dhe artit. Vetë Përmeti është truall i njerëzve që bënë epokë: strategë, dijetarë, poetë, historianë, artistë, klerikë e humanistë. 
Sakaq, Këlcyra një hapësirë kulturore ku historia, shoqëria dhe natyra ndërthuren ka nxjerrë figura të shquara - njerëz të “derës së madhe”, siç i quan gjuha popullore - që kanë ndikuar në identitetin kulturor dhe në zhvillimin shoqëror të vendit. Kalaja e Këlcyrës – një hartë guri e historisë ilire. Sarajet e strategut - Ali Bej Këlcyrës - socializimi aristokratik dhe historia e një dere të madhe. Krahina e Malëshovës - vendi i punës, dijes, ku rriti intelektualin, poetin e ideologun Sejfulla Malishova, apo krahina e Dëshnicës - identiteti i mikpritjes, atdhetarisë dhe kulturës.Në këtë mjedis, Hekurani u formësua shpirtërisht. Ai njihte në “pëllëmbë të dorës” gjithë gjeografinë e Jugut, historinë e saj, traditat dhe rrëfimet e brezave.
Fillimet e misionit-vështërsi, mosbesim, por edhe një thirrje e brendëshme
Kur nisi veprimtarinë e tij misionare në vitin 1998, Shqipëria gjendej në një udhëkryq historik. Krizë e thellë morale, institucione të brishta, ekonomi e rrënuar, shoqëri e lodhur dhe e pashpresë. Besimi ishte harruar, morali shthurur, vlerat shpesh të përmbysura. Asgjë nuk ishte e lehtë.
Por pikërisht atëherë, Baba Hekurani doli në pah si një figurë e lindur për mision. Ai e përqafoi detyrën e tij shenjtë duke u përballur me dyshimet, keqkuptimet dhe mosbesimet. Ai trokiste në dyert e njerëzve të zakonshëm, ngjallte shpresën, nxiste dashurinë për Zotin, për atdheun, për punën, për familjen dhe jetën.
Ata që e kundërshtonin nuk e penguan: ai nuk u hakmor, nuk u ligështua, nuk iu tremb gojëligëve. Asnjëherë nuk kërkoi shkallare të shpejta karriere; gjithçka e fitoi me djersë, me urtësi, me durim dhe me vullnet të hekurt. Mbështetja dhe bekimi i Dede Reshat Bardhit e forcuan edhe më shumë.
Vepra që ringjall besim
Në zonat e Përmetit, Skraparit, Këlcyrës, Kolonjës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Sarandës, ai vuri themelet e një ringjalljeje. Ndërtoi dhe rindërtoi teqe, modernizoi qendrat e kultit, krijoi atmosfera shpirtërore të begata dhe u kujdes për trashëgiminë e Bektashizmit shqiptar. Ai nuk punoi pa projekt - vizioni, ideja dhe kauza e tij ishin të qarta. Rrugëtimi ishte i pandalshëm dhe programor. Ai solli ritme të reja përshpirtshmërie, frymë bashkimi dhe ndjesi të thellë komunitare.
Baba Hekuran Nikollari- nga misionar në institucion
Jeta e tij është reflektim dhe përpjekje e pandërprerë. Ai sfidoi rrethanat e zymta dhe i doli përballë realitetit me karakter, vizion, vendosmëri, dritë dhe dashuri. Kleriku bektashian u bë një personalitet që kapërceu kufijtë lokalë dhe kombëtarë, duke i dhënë një dimension të ri identitetit shpirtëror shqiptar.
Edhe sot, Baba Hekuran Nikollari është më shumë se udhëheqës shpirtëror: ai është referencë, institucion, model i idealistit që jetoi për misionin e tij. Ai mbetet shembull i misionarit që punon në heshtje, por që lë vepra që flasin gjatë. Trashëgimia e tij është një kapitull i gjallë i historisë së bektashizmit shqiptar – një kapitull i vullnetit, vizionit, reformimit dhe dritës.

“Misioni im është t’ia çoj emrin e Teqesë së Baba Aliut përtej oqeanit.”

Baba Hekuran Nikollari

bottom of page