Kujtesa dhe Intervista
Ruajtja e kujtesës është ruajtje e identitetit. Përmes këtij seksioni synojmë të sjellim histori që frymëzojnë, edukojnë dhe mbajnë gjallë vlerat e komunitetit.
Faleminderit që jeni pjesë e këtij udhëtimi kujtese dhe komunikimi.
Aktualiteti
Vizioni i Baba Hekuranit dhe heshtja e shtetit
Grupi i xhirimit i platformës “epokababahekurannikollari” ndaloi fillimisht në Kreshovë të Përmetit dhe më pas në Frashër. Kamera fiksoi dy realitete të ndryshme dy anë të së njëjtës medalje. Nga njëra anë, një model përkujdesjeje dhe nderimi për figurat kombëtare dhe shpirtërore. Një odë e kuruar me finesë dhe përkushtim maksimal, e dedikuar për Dervish Iljazin e Tomorrit, të fton në një hapësirë qetësie dhe reflektimi.

Jo vetëm kaq: ndërtimi i rrugës dhe rindërtimi i mekamit janë dëshmi konkrete të një pune të bërë me vizion dhe përkushtim. Këto investime mbajnë vulën e Baba Hekuran Nikollarit, në bashkëpunim të ngushtë me banorët e zonës.
Ana tjetër e medaljes: kur shteti harron shtëpinë e kombit
Udhëtimi drejt Frashërit mbetet i vështirë. Rruga e degraduar është një tregues i qartë i mungesës së vëmendjes institucionale. Nëse do të ishte gjallë Baba Hekuran Nikollari, një realitet i tillë nuk do të pranohej prej tij, por do të organizonte punën dhe rruga do të ishte shumë funksionale.
Në mbërritje, ndalemi tek bustet e Abdylit, Naimit dhe Samiut – një simbolikë e lënë në harresë të pajustifikueshme. Më tej, brenda shtëpisë muze, kamera fikson një realitet shqetësues: degradim i dukshëm si pasojë e shpërfilljes.
Dy epoka…
Dhe megjithatë, brenda të njëjtit perimetër, shfaqet një kontrast i fortë. Sikur të bashkëjetojnë dy epoka të ndryshme. Nga njëra anë, neglizhenca institucionale; nga ana tjetër, vizioni dhe vepra e Baba Hekuranit.
Teqja e Frashërit shfaqet si një hapësirë e transformuar rrënjësisht. Rindërtimi dhe ridimensionimi i saj e kanë kthyer këtë vend të shenjtë në një pikë referimi, ku tradita, estetika dhe funksioni bashkëjetojnë në harmoni. Çdo element i kësaj hapësire dëshmon për një standard që tejkalon kufijtë dhe kohën.

Konkluzion
Kontrasti është i qartë. Kur shteti hesht, Baba Hekurani vepronte. Kur institucionet vonojnë, vizioni i tij ndërtonte. Baba Hekuran Nikollari mbetet një dëshmi epokale dhe konkrete se çfarë mund të arrihet kur përkushtimi, besimi dhe përgjegjësia shndërrohen në veprim. Dhe pikërisht për këtë arsye, figura e tij nuk i përket vetëm së shkuarës, por mbetet thellësisht aktuale.
Shënim redaksional: në ditët në vijim do të sjellim prononcime që lidhet me vizionin e Baba Hekuran Nikollarit për të ridimensionuar shtëpinë muze të vëllëzërve Frashëri dhe bërjen e busteve me standarte të mirëfillta bashkëkohore.
Sofra e thjeshtësisë
Baba Hekuran Nikollari – Thjeshtësia si mënyrë jetese
Baba Hekuran Nikollari, përtej ritualit, predikimit dhe shërbesës së dukshme, jetonte një jetë thellësisht modeste, të zhveshur nga çdo tepri, por të mbushur me kuptim. Jeta e tij ishte e hapur si drita e ditës: transparente, e qartë dhe e verifikueshme në çdo detaj. Asgjë e fshehur, asgjë e stisur. Çdo hap dhe çdo zgjedhje e tij ishte në harmoni të plotë me atë që predikonte.

Ai qëndronte larg luksit dhe kishte zgjedhur thjeshtësinë si mënyrë jetese. Pasditeve, klerikun e gjenim shpesh në dy ambiente në Përmet: te Restorant “Iliri” në Piskovë dhe te “Nemërçka”. Këto dy hapësira publike, përtej thjeshtësisë së tyre, mbartnin edhe një simbolikë të veçantë: “Iliri” lidhej me kujtimin e mikut të tij të ndjerë, Ilir Bezatit, ndërsa “Nemërçka” me nënë Besijen, figurë e njohur e devotshmërisë dhe mikpritjes.
Dëshmitë e kohës e përshkruajnë njëzëri të njëjtën tablo. Tavolina e tij ishte gjithmonë e thjeshtë: kafe dhe ujë, ndërsa për ushqim gjellë shtëpie, një copë djathë dhe një gotë dhallë. Madhështia e tij nuk shfaqej në luks, por në përulësi.

E njëjta thjeshtësi përsëritej edhe në restorant “Nemërçka”, ku dëshmitë e familjarëve dhe të njohurve e forcojnë më tej këtë portret: një njeri i qëndrueshëm në zakone, i thjeshtë në kërkesa dhe i madh në sjellje.
intervista selo

Këto dy vende nuk ishin vetëm hapësira qëndrimi, por u kthyen në pika takimi për besimtarë, bashkëpunëtorë dhe miq nga e gjithë Shqipëria. Pa dallim krahine, ideje apo besimi, ata mblidheshin rreth tij dhe, falë pranisë së Baba Hekuranit, krijoheshin ura miqësie dhe mirëkuptimi. Ishte një mënyrë e qetë, por e fuqishme, për të ndërtuar bashkim komunitar dhe kombëtar. Ai shpesh thoshte: “Jemi të vegjël për t’u ndarë, por shumë të fuqishëm të bashkuar.”
_JPEG.jpeg)

Shtëpia si bekim, jo si luks.
Dëshmitë e shoferit të tij, Gentit, e plotësojnë më tej këtë portret. “Asnjëherë, në asnjë rast, nuk prenotoi hotele. Nuk kërkoi luks. Kur udhëtonim drejt Tiranës apo qyteteve të tjera, strehët e tij ishin shtëpi të thjeshta, me mikpritje: bukë, kripë dhe zemër të bardhë.”
Kudo që shkonte, ai gjente shtëpi. Ishin familje besimtarësh dhe njerëz të ndershëm që e prisnin jo si autoritet, por si njeri të shtëpisë. “Thjeshtësia,” – përfundon Genti – “ishte një nga parimet e tij që në fillimet e misionit të shenjtë.”

Genti Alimema me Baba Hekuran Nikollarin
KUJTESA
Standardi i Baba Hekuran Nikollarit: Transparenca që frymëzon një shoqëri
Prononcimi që trondit korrupsionin
Në analizën e stafit të platformës - “epokababahekurannikollari”, rezulton se materiali me titull “Standardi i Baba Hekuran Nikollarit: Transparenca e parasë publike”, publikuar më 25 Maj, 2026, pati një ndikim të menjëhershëm dhe të gjerë në opinionin publik.
Në epiqendër të këtij reagimi ishte deklarata e ekonomistes Sabina Bezati, e cila theksonte:
“Nëse paratë publike do të menaxhoheshin me të njëjtin vizion, transparencë, ndershmëri dhe përgjegjësi siç vepronte Baba Hekuran Nikollari, Shqipëria do të ishte një vend me standarde perëndimore.”

Brenda pak minutash nga publikimi, në adresat e platformës mbërritën qindra mesazhe nga qytetarë dhe besimtarë, të cilët vlerësonin figurën e Baba Hekuran Nikollarit si një model të rrallë integriteti. Në thelb të këtyre reagimeve qëndronte një ide e qartë: çdo kontribut i besimtarëve u orientua me përpikëri drejt ndërtimit, zhvillimit dhe prosperitetit të komunitetit.
Deklarata
Për hir të konsideratës dhe vlerësimit të publikut për Baba Hekuranin, koordinatorja Beqaraj, udhëtoi në Piskovë-Përmet ku zhvilloi një bisedë të drejpërdrejtë me ekonomisten Bezati. Sipas saj, “Baba Hekurani arriti që nga zero të ngrinte gjithë ato mrekullira: Teqenë e Alipostivanit, Frashërin dhe shumë vende të tjera. Ai bënte një menaxhim të përkryer të fondeve që hidheshin aty. Dhe mendimi im është ky: nëse edhe paratë e shtetit do të menaxhoheshin ashtu… gjithçka do të ishte e përkryer. Nuk do të kishte vjedhje. Nuk do të kishte keqpërdorim.” Një deklaratë e drejtpërdrejtë. Një model real….ndiqni pronocimin e Bezatit.
Sabina Bezati dhe Baba Hekuran Nikollari
_JPEG.jpeg)

_JPEG.jpeg)
Intervista
Në të njëjtën linjë vlerësimi, edhe gazetarja Gerta Zaimaj, në një reportazh për Teqenë e Alipostivanit (Shqipëria.com, 27 mars 2018), evidenton se gjithçka nisi nga zero, por u ndërtua mbi korrektësi dhe menaxhim efikas të të ardhurave të besimtarëve. Sipas saj, modeli i ndjekur nga Baba Hekuran Nikollari mbetet një referencë jo vetëm për komunitetet fetare, por edhe për institucionet publike: pa abuzim, pa shpërdorim - vetëm punë, përkujdesje dhe përgjegjësi.

KUJTESA
Ndërtimi i rrugës Përmet – Cfrat ( 1.5 km): një vepër e Baba Hekuran Nikollarit
Në vitin 2018, në një terren ku nuk ekzistonte asnjë rrugë e hapur, nisi një ndërhyrje që do të ndryshonte aksesin drejt Teqesë së Cfratit.
Baba Hekuran Nikollari, kleriku dhe patrioti i njohur, ndërmori një nismë të rëndësishme infrastrukturore: ndërtimin nga e para të një segmenti rrugor prej rreth 1.5 kilometrash, që lidh Përmetin me Cfratin.
Ka rrugë që ndërtohen mbi gjurmë të vjetra. Por ka edhe rrugë që lindin nga hiçi. Rruga e Cfratit është një prej tyre - një vepër që nisi në vitin 2018 në një terren të pashtruar më parë, duke u kthyer në një arterie jetike për komunitetin dhe teqenë.
Kjo ndërhyrje mbetet dëshmi e vizionit praktik dhe strategjik të Baba Hekuran Nikollarit, ku shërbimi shpirtëror ndërthuret me veprimin konkret në terren.

AKTUALITET

Një hapësirë shpirtërore dhe komunitare, ndërtuar nga Baba Hekuran Nikollari
29 maj 2026 | Cfrat – Përmet: Në kuadër të përgatitjes së dokumentarëve që lidhen me veprën e Baba Hekuran Nikollarit, koordinatorja e platformës epokababahekurannikollari.com
Anxhela Beqaraj, zhvilloi një vizitë në teqenë e Cfratit. Siç dëshmojnë edhe pamjet, ky vend i shenjtë, i ndërtuar dhe i formësuar përmes vizionit të klerikut epokal Baba Hekuran Nikollari, përtej dimensionit të besimit, qetësisë dhe përulësisë, është kthyer gjithashtu në një hapësirë të gjallë pushimi dhe meditimi. Njerëz të të gjitha grupmoshave udhëtojnë drejt kësaj hapësire për të kryer ritet e tyre shpirtërore, por edhe për të gjetur qetësi dhe çlodhje larg ritmit të përditshmërisë.
.jpeg)
.jpeg)
Trashëgimia e Baba Hekuranit është fakt.Kamera e platformës ka regjistruar edhe momente të veçanta gëzimi, praninë e fëmijëve të vegjël në ambientet e mrekullueshme që ofron ky vend i shenjtë. Në një kohë kur Shqipëria ende vuan mungesën e hapësirave çlodhëse, medituese dhe parqeve të mirëfillta, Baba Hekurani, në çdo investim të tij, ka pasur në vizionin e tij jo vetëm ndërtimin e kulteve, por edhe krijimin e hapësirave të hapura për të gjitha shtresat shoqërore dhe grupmoshat. Ky është vizioni i Baba Hekuran Nikollarit - një jetë e tërë e përkushtuar besimit, shërbimit dhe trashëgimisë shpirtërore për brezat që vijnë.
KUJTESA
Teqeja e Alipostivanit: një mision që buron nga rendi hyjnor
Në një intervistë të dhënë për TV Gjirokastra në vitin 2019, Baba Hekuran Nikollari ndalet te thelbi shpirtëror dhe historik i Teqesë së Alipostivanit,
.png)
duke e përkufizuar atë si një institucion që nuk mund të kuptohet përtej dimensionit të tij hyjnor dhe misionit të tij të paracaktuar.
Ndër të tjera, ai është shprehur: “Ky vend i shenjtë, Teqeja e Alipostivanit, historikisht është shquar për disa dimensione të veçanta: mistikën e thellë hyjnore, patriotizmin dhe atdhetarizmin, si dhe besimin e shpresën që u jep njerëzve.
Këtu ka një veçori që duhet kuptuar drejt: nuk është diçka që lind nga rastësia apo nga dëshira e çastit. Jo kushdo që i mbushet mendja mund të vijë e të thotë: “hajde, po ndërtoj dhe drejtoj një teqe”. Këtu asgjë nuk është e rastësishme dhe as fryt i tekës njerëzore. Gjithçka buron nga një rend më i lartë, nga fryma e Zotit. Vetëm Ai e di: kush, kur dhe si.”
KUJTESA
Standarti i Baba Hekuran Nikollarit: Transparenca e parasë publike

“Nëse paratë publike do të menaxhoheshin me të njëjtin vizion, transparencë, ndershmëri dhe përgjegjësi siç vepronte Baba Hekuran Nikollari, Shqipëria do të ishte një vend me standarde perëndimore” - shprehet ekonomistja Sabina Bezati.
Ky vlerësim nuk është thjesht një reflektim personal, por një përmbledhje e një modeli konkret që ka funksionuar. Në një realitet shpesh të sfiduar nga mungesa e besimit publik, përvoja e Baba Hekuran Nikollarit paraqitet si një dëshmi se udhëheqja e ndershme dhe efikase është e mundur.
Sabina Bezati,Baba Hekurani,Jurgen Bezati
Këndvështrimi i historianit

Nuri Dragoi,Baba Hekurani,Luan Nikollari
“Alipostivan, në këtë amfiteatër mahnitës, bën pjesë Teqeja me Tyrbet, shoqëruar nga ambiente të tjera në funksion të tyre, të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën me rrugë e shkallë. Çdo ditë në këto mjedise hyjnë dhe dalin qindra njerëz. E megjithatë, në tokë nuk të sheh syri asnjë mbetje. Kudo mbretëron pastërti shembullore.
Shkëlqen gjithçka, siç shkëlqen dhe ndrin Baba Hekurani, që përcjell në çdo moment dashurinë për të Plotfuqishmin, për familjen, për njëri-tjetrin, për Atdheun.”
Një model i nevojshëm për institucionet publike
Një nga shtyllat themelore të veprimtarisë së Baba Hekuranit ishte transparenca .Gazetarja Gerta Zaimaj, në një reportazh për Teqenë e Alipostivanit (Shqipëria.com, 27 mars 2018), evidenton se gjithçka nisi nga zero, por u ndërtua mbi korrektësi dhe menaxhim efikas të të ardhurave nga besimtarët.

Gazetarja,Gerta Zaimaj
Sipas Zaimajt, modeli i ndjekur nga Baba Hekuran Nikollari do të ishte referencë edhe për institucione publike: nuk kishte abuzim, nuk kishte shpërdorim – vetëm punë, përkujdesje dhe përgjegjësi.
KUJTESA
SAKRIFICA SI THEMEL I MISIONIT SHPIRTËROR TË BABA HEKURANIT
"Shërbimi ndaj të gjithëve kërkon një sakrificë të rrallë: të mos jesh i askujt, as i vetes, që të mund të jesh i të gjithëve."
- Baba Hekuran Nikollari

Nënë Vezirja me të birin Baba Hekuran Nikollarin
Baba Hekurani ishte plotësisht i vetëdijshëm për rrugën e misionarit shpirtëror - një rrugë e cila kërkoi shkëputje, përkushtim dhe një disiplinë të fortë të brendshme. "Nuk ishte një vendim i lehtë. Ishte një përballje e heshtur me vetveten, një betejë mes dashurisë për familjen dhe thirrjes shpirtërore që zgjodha"- shprehej ai.

Misioni i Baba Hekuran Nikollarit, në thelb, ishte sakrificë. Jo një sakrificë e përkohshme, por një zgjedhje e vetëdijshme për të lënë pas një pjesë të jetës së tij, në emër të një rruge më të lartë shpirtërore.
Rushan Guçe, një nga miqtë më të afërt të tij, kujton net të tëra bisedash të gjata, ku tema kryesore ishte pikërisht kjo sakrificë. Në ato rrëfime të qeta, shpesh të mbushura me ndjenjë dhe reflektim, Baba Hekurani fliste për raportin e tij me familjen, dhe veçanërisht me nënën, Veziren.

Vëllai Skënderi , Baba Hekurani dhe miku i tij Rushan Guçe
Misioni shpirtëror dhe ndjenja për familjen
Ndjenja për familjen ishte e thellë. Ai nuk e mohonte, por kishte vendosur të mos e lejonte të bëhej pengesë në misionin e tij. Megjithatë, malli për nënën, për vëllezërit, motrat, nipërit dhe mbesat nuk u shua kurrë. Ai mbeti i heshtur dhe i thellë, por gjithmonë i pranishëm. Nuk ishte një ndjenjë që zhdukej, por një ndjenjë që shndërrohej.
Një lehtësim i madh për të ishte përkushtimi i vëllait të madh, Skënderit, i cili, së bashku me bashkëshorten Yldien, u kthye në Seniçan për t’u kujdesur për nënën. Kjo i dha atij një qetësi të brendshme dhe e ndihmoi t’i përkushtohej tërësisht misionit të tij shpirtëror.
Motra dhe vëllai : Hajre dhe Baba Hekuran Nikollari

Baba Hekurani: “Jam për njerëzit, për Zotin dhe për kombin, jo për familjen time”
Foto 1 . Nga e majta në të djathtë : Nipi Yzeiri , Baba Hekurani dhe mbesa Lumturi.
Foto 2 .Nga e majta në të djathtë : Armela bashkëshortja e Yzeirit , vajza e tyre Ajza dhe Baba Hekurani duke i prerë flokët .
Në raport me statusin e tij si klerik, Baba Hekurani nuk bënte dallime. Për të, lidhjet e gjakut nuk përbënin përparësi ndaj misionit. Vëllezërit, motrat, nipërit dhe mbesat trajtoheshin njësoj si çdo besimtar tjetër. Bashkëpunëtorët kujtojnë raste kur i është kërkuar të ndihmonte familjarët .
Përgjigjja e tij ishte e prerë: “Jo! Po ta bëj këtë, atëherë humbet kuptimi pse jam këtu. Jam për njerëzit, për Zotin dhe për kombin, jo për familjen time". Kjo nuk ishte mungesë dashurie. Ishte një formë më e lartë e saj - një dashuri që nuk bën dallime. Në këtë mënyrë, Baba Hekurani e ngriti dashurinë në një stad më të lartë - nga një ndjenjë familjare në një përkushtim të gjerë njerëzor. Një dashuri që nuk njeh përjashtime dhe që i jep kuptim të plotë misionit të tij.
E pabesueshme, por e vërtetë: Kleriku që ndërtoi rrugë në jug të Shqipërisë!
Baba Hekuran Nikollari, përtej misionit fetar, ka realizuar një ndër ndërhyrjet më të pazakonta në hapësirën shqiptare: ndërtim dhe rindërtim infrastrukturor që lidh komunitete dhe rikthen jetë në zona të izoluara. Në një realitet ku rrugët dhe ujësjellësit konsiderohen ekskluzivisht kompetencë e shtetit, një klerik në jug të vendit ka thyer këtë kufi tradicional, duke u shndërruar në një rast unik në praktikën shoqërore dhe historike shqiptare.


Baba Hekuran Nikollari, përmes një angazhimi të drejtpërdrejtë, pa mbështetje institucionale, ka realizuar ndërhyrje infrastrukturore që prekin rreth 70 kilometra rrugë në zonat e Përmetit, Frashërit, Alipostivanit, Cfratit, Kreshovës dhe Zleushës, duke transformuar rrënjësisht aksesin dhe jetën e banorëve.Në këtë kontekst, redaksia e platformës “epokababahekurannikollari” do të nisë një cikël reportazhesh dokumentarë mbi këtë vepër të pazakontë dhe unike të Baba Hekuran Nikollarit.
Dikur shtigje, sot akse automobilistike.
Veprimtaria e klerikut epokal shtrihet përtej dimensionit shpirtëror, duke përfshirë ndërtimin dhe rivitalizimin e rrugëve, si dhe krijimin e sistemeve funksionale të ujësjellësit në disa zona rurale ku ndodhen edhe vende të shenjta. Këto ndërhyrje kanë përmirësuar ndjeshëm aksesin, ekonominë lokale dhe kushtet e jetesës së banorëve. Rrugë që dikur ishin thjesht shtigje të pakalueshme, sot janë kthyer në akse lidhëse mes komuniteteve. Ndërkohë, investimet në ujë kanë garantuar furnizim të qëndrueshëm për banim dhe bujqësi.


E veçanta e këtij modeli qëndron në faktin se financimi dhe realizimi janë mbështetur kryesisht në kontributet e besimtarëve dhe në një menaxhim të drejtpërdrejtë lokal. Rasti i Baba Hekuran Nikollarit përfaqëson një ndërthurje të pazakontë mes besimit dhe zhvillimit territorial, duke sfiduar kufijtë tradicionalë mes rolit shpirtëror dhe atij publik. Për shumë banorë, këto vepra nuk janë thjesht investime infrastrukturore, por dëshmi konkrete e një misioni që është shndërruar në ndryshim real.
Vendosmëria për rindërtimin e rrugës Përmet–Frashër.
Në dëshmitë e atyre që kanë marrë pjesë në ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve, del në pah një element i përbashkët: Baba Hekuran Nikollari nuk ishte thjesht iniciator, por një prani e përhershme në terren. Në shi, borë, në të nxehtë dhe në të ftohtë, ai qëndronte në krye të punimeve, duke ndjekur nga afër çdo proces ndërtimi dhe rivitalizimi.

Baba Hekurani dhe Fredi Muka "Manja"
“Baba Hekurani qëndronte për orë të tëra duke ndjekur punimet nga afër dhe shpesh ai, ishte vetë pjesë e procesit të punës. Nuk ishte një figurë që vëzhgonte nga distanca, por një pjesëmarrës aktiv në çdo hap të transformimit të zonës”, shprehet Fredi Muka (Manja).
Si një nga bashkëpunëtorët më të afërt, ai kujton punën në aksin Përmet - Frashër: “Kur po rindërtonim arterien Përmet–Frashër, niseshim me Baba Hekuranin që në mëngjes. Kafen dhe ushqimin e merrnim me vete dhe punonim pa ndërprerje. Ai e rindërtoi këtë rrugë dy herë, brenda një dekade. Nuk ishte e lehtë: kishte vështirësi, peripeci dhe lodhje të madhe. Edhe kostoja financiare ishte shumë e lartë.
Por Baba Hekurani ishte i vendosur; bashkë me rindërtimin e teqes së Frashërit, ai kërkonte me këmbëngulje rikthimin e jetës në Frashërin historik dhe në teqenë emblematike. Ai ia arriti synimit.” Kjo dëshmi e vendos veprimtarinë e tij në një dimension më të thellë: jo thjesht si investim infrastrukturor, por si një përpjekje e vazhdueshme për të rikthyer jetën në një territor me peshë të madhe historike dhe shpirtërore.
Gjyshet dhe nënat – “heroinat” e heshtura të misionit
“Unë jetoj për të shërbyer – për të dhënë paqe, besim, shpresë, harmoni dhe dashuri.Por dashuria ime më e madhe janë nënat, gjyshet dhe gjyshërit e Përmetit, Dangëllisë, Skraparit, Këlcyrës, Malëshovës, Tepelenës, Gjirokastrës e Libohovës. Kudo që trokita, ata më pritën me zemër.”
– Baba Hekuran Nikollari


Nënë Mirësija dhe Dervish Hekurani
( Këlcyre,2006)
Alipostivan , (1998) Streha e misionit
Në vitet e para të misionit të Baba Hekuran Nikollarit (1998–2002), në një kohë kur boshllëku shpirtëror ishte i thellë dhe besimi dukej i brishtë, mbështetja më e fortë erdhi nga ata që rrallëherë përmenden në histori: nënat, gjyshet dhe të moshuarit . Në heshtje, ato ruajtën besimin; në thjeshtësi, mbajtën gjallë traditën. “Ato më dhanë forcë morale. Ato ndezën shpresën. Ato e shtynë misionin të trokiste sërish në çdo derë”, do të shprehej ai në një bashkëbisedim me mikun e tij, Gëzim Murati.
Familja Hasimi , Alipostivan (1998)
Në fillesat e misionit, kur besimi ishte i brishtë dhe rruga e vështirë, mbështetja erdhi nga njerëzit e thjeshtë. Refat dhe Mirësije Hasimi ishin ndër të parët që besuan dhe vepruan. Ata i hapën derën e shtëpisë Baba Hekuran Nikollarit, duke e kthyer në një strehë për të dhe për misionin. Ky gjest nuk ishte vetëm mikpritje, por një akt themelues që shënoi kalimin nga një rrugë individuale në një kauzë kolektive.

Gjyshe Merushja
Ngrohtësia e gjyshe Merushes
Në vitet 1999 - 2000, kur misioni i Baba Hekuran Nikollarit shihej me dyshim, ishin nënat dhe gjyshet që e mbështetën në heshtje. Pas ditëve të lodhshme në Teqenë e Alipostivanit, ai zbriste në këmbë drejt fshatit Muçej, ku e priste gjyshe Merushja, nëna e Musa Muçellit. Në atë shtëpi, së bashku me nënën Lirija, ai gjeti ngrohtësi, përkujdesje dhe besim të pastër – një mbështetje e thjeshtë, por vendimtare për vazhdimin e misionit.

Ferdane Muçelli , Baba Hekurani,Lumturie Skënderi
Gjyshe Lumturie Skënderi : “Ky djalë do të bëhet shënjtor”
Kujtesë: Frashër, 5 shtator 2000
Në Frashër, në vitin 2000, ishin pak familje dhe fryma bektashiane ende nuk ishte ringjallur plotësisht. Në këtë ditë mbërriti Baba Hekuran Nikollari, i shoqëruar nga shokët e fillimit të ringjalljes në Alipostivan. Pas një prezantimi të thjeshtë, Gjyshe Lumturie Skënderi e përqafoi dhe i tha: “Të bëftë Zoti diell rrugën që ke nisur.” I biri i saj, Sabri Skënderi, kujton se ai moment u kthye në një lidhje të fortë shpirtërore mes familjes dhe Baba Hekuranit.

Gjyshe Vahideja dhe Baba Hekurani
Nëna Vahideja: Dervishi që i duhet Skraparit
Në vitin 2002 shënohet një moment i rëndësishëm në rrugëtimin shpirtëror të Baba Hekuran Nikollarit. Që në ditën e parë të mbërritjes së tij, pritja që iu bë ishte e veçantë, e mbushur me ngrohtësi njerëzore dhe respekt të ndjerë. Në Çorovodë, në shtëpinë e nënë Vahide Fetahut, ai gjeti një derë të hapur dhe një zemër të gatshme për ta pritur. Kjo shtëpi nuk ishte vetëm një strehë fizike, por një vatër besimi, ku mikpritja dhe përkushtimi ndaj vlerave shpirtërore ishin pjesë e përditshmërisë.
VIZIONI DHE MIRËMBAJTJA

Në kuadër të ciklit të intervistave, kësaj radhe sjellim rrëfimin e besimtarit Ismail Saliu, i cili ndalet në dy momente të rëndësishme: vizionin e Baba Hekuranit dhe gjendjen aktuale të mirëmbajtjes së Teqesë së Alipostivanit.




Vizita historike e Kryegjyshit Boteror te Bektashinjve, ne Alipostivan- Permet. 25 Maj, 2002
Dede Reshat Bardhi dhe Baba Hekuran Nikollari
Udhëzimi shpirtëror që formësoi një epokë
“Po të kishim dervishë si ky burrë (Baba Hekuran Nikollari), bektashizmi shqiptar jo vetëm do të lartësohej, por çdo kult do të ngjante si kopshtet më të bukura në botë” - deklaronte mes besimtarësh, Dede Reshat Bardhi.
Në fakt, marrëdhënia mes Dede Reshatit dhe Baba Hekuran Nikollarit mbetet një model dhe simbol i funksionimit të shëndetshëm të bektashizmit shqiptar, ku tradita, autoriteti dhe komuniteti bashkëveprojnë për të krijuar figura që lënë gjurmë në histori.
Për Baba Hekuranin, emri i Dede Reshatit Bardhit zinte një vend të vecantë në zemrën e tij. Ai përfaqësonte një brez klerikësh bektashinj që kishin ruajtur besimin gjatë viteve të persekutimit, duke mos u dorëzuar as para burgut, as para hesthjes që diktatura ia imponoi.
Shembulli i tij ishte një dëshmi se një jetë e thjeshtë mund të bëhet dritë për të tjerët. “Haxhi Dede Reshat Bardhi në fytyrë ka patur dritë hyjnore, që shprehte bukurinë e brendshme dhe të jashtme, si dhe mirësinë e njerëzimit. Dede Reshat Bardhi është një mal hyjnor, ishte i dërguar i Imam Aliut”, - citonte Baba Hekuran Nikollari.
Historike: Vizitat e Dede Reshat Bardhit në Alipostivanin e ringjallur
Vizita e Dede Reshat Bardhit, në muajin Maj të vitit 2002, në teqen e Alipostivanit, pati jehonë të madhe në komunitetin e zonave Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Skrapar, etj. Ishin tri momente kulmore dhe historike për besimin bektashian në ato hapësira: së pari festa në vetvete, një ditë e shënuar shekullore; së dyti gradimi Dervish i Hekuran Nikollarit dhe së treti më e rëndësishmja ishte: vizita e parë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Dede Reshat Bardhit shoqëruar edhe nga klerikë të tjerë bektashianë.
Ardhja e Kryegjyshit Botëror kishte rëndësi të madhe për Përmetin në veçanti dhe Jugun e Shqipërisë në përgjithësi. Prania e tij në festë pati jehonë të madhe ndër besimtarë, të cilët i ishin shumë mirënjohës veçmas për dy gjëra: e para për besimin bektashian ishte mbështetje morale. Së dyti, prania e tij ishte një vlerësim i madh për Dervish Hekuranin, i dekretuar nga veti ai.
NË GJURMËT E BABA HEKURAN NIKOLLARIT
Kur flitet për një klerik që ka bërë epokë, sidomos nga ata që kanë bashkëpunuar dhe kanë qenë pranë tij, rrëfimi dhe kujtesa mbartin gjithmonë emocion, ndjeshmëri dhe përkushtim për të ecur në gjurmët dhe vizionin e Baba Hekuran Nikollarit. Në kuadër të rubrikës “Kujtesa dhe intervista”, redaktorja e platformës epokababahekurannikollari, Anxhela Beqaraj, ka zhvilluar një seri intervistash me besimtarë dhe bashkëpunëtorë të tij. Njëri prej tyre është një myhip, anëtar i këshillit të Teqesë së Alipostivanit dhe ish-sekretar i kësaj teqeje. Më poshtë ndiqni intervistën e zhvilluar pranë Tyrbes së Baba Aliut dhe Lisit lashtë, në Teqenë e Alipostivanit me Mësues Eqerem Ali .





14 Maji në Alipostivan – Festa që mban gjallë frymën e Baba Hekuran Nikollari
Në atmosferën e veçantë shpirtërore dhe festive të 14 majit në Alipostivan, qindra besimtarë, vizitorë dhe pelegrinë u mblodhën pranë Teqesë së Baba Hekuran Nikollarit për të përjetuar nga afër një nga ngjarjet më domethënëse të zonës. Festa u shoqërua me emocione të forta, kujtime, lutje dhe respekt për figurën e Baba Hekuranit, një emër që vazhdon të jetojë fuqishëm në zemrat e njerëzve.
Mes muzikës tradicionale, mikpritjes dhe atmosferës së qetë që karakterizon këtë vend të shenjtë, shumë të pranishëm ndanë mbresat dhe emocionet e tyre për rëndësinë që kjo festë ka ndër vite. Një nga të intervistuarat, e ardhur prej vitesh në Përmet si nuse, tregoi lidhjen e saj të veçantë me këtë vend:
“Nga momenti që kam ardhur këtu, jam dashuruar me këtë vend. Unë këtu vij dhe gjej qetësinë.”
Ajo kujton se vizitën e parë në Alipostivan e kishte bërë më shumë se dy dekada më parë, pa e ditur plotësisht dimensionin shpirtëror dhe historik të festës. Por me kalimin e viteve, lidhja me Teqenë dhe figurën e Baba Hekuranit është bërë gjithnjë e më e fortë.
Në intervistën e realizuar nga stafi i “Epoka e Baba Hekuran Nikollarit”, ajo e përshkroi Baba Hekuranin si një figurë me dimension të jashtëzakonshëm njerëzor dhe shpirtëror:
“Ishte njeri i fortë, i mirë, guximtar, i pathyeshëm. Nuk e di nëse do arrijë dikush tjetër të bëjë më shumë se ai.”
Një nga momentet më prekëse të intervistës ishte vlerësimi për mënyrën sesi vazhdon të ruhet dhe të mirëmbahet Teqeja, duke mbajtur gjallë frymën dhe vizionin e Baba Hekuranit.
“Më bëhet shumë qejfi që po mbahet njësoj sikur ai të ishte gjallë. Trupi i tij nuk është, por ai është këtu. Unë e ndiej.”
Kjo ndjesi shpirtërore dhe lidhje emocionale me vendin u reflektua pothuajse tek çdo pjesëmarrës i festës, duke e kthyer 14 majin jo vetëm në një aktivitet tradicional, por në një dëshmi të vazhdimësisë së trashëgimisë së Baba Hekuran Nikollarit.
Gjatë festës u paralajmërua gjithashtu dalja së shpejti e botimit studimor me tre vëllime kushtuar jetës, veprës dhe trashëgimisë së Baba Hekuran Nikollarit. Lajmi u prit me shumë entuziazëm nga të pranishmit.
“Jam shumë e lumtur. Mezi pres t’i lexoj,” – u shpreh ajo me emocion.
Festa e 14 majit në Alipostivan konfirmoi edhe një herë se figura e Baba Hekuran Nikollarit mbetet e gjallë në kujtesën dhe shpirtin e njerëzve, ndërsa trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë brezat.
