top of page

Histori Njerëzore

Në gjurmët e një marrëdhënieje që ndryshoi një jetë

“Edhe në librat fantastiko-shkencorë nuk e gjen profilin e një njeriu ku bashkohen në një: dimensioni njerëzor, human, shpirtëror, frymëzues, edukues, i fjalës së mbajtur dhe i veprave të përfunduara. Brezi im është me fat që e njohu dhe u bekua prej Baba Hekuran Nikollarit. Ai mbetet një njeri dhe klerik i jashtëzakonshëm. Nuk është perceptim, por realitet i përjetuar nga unë dhe familja ime.”

–Kledisa Jaçe, juriste

Ka histori që nuk bëjnë zhurmë, por lënë gjurmë të thella. Histori që nuk ndërtohen mbi ngjarje të mëdha, por mbi një fjalë të dhënë, një dorë të shtrirë, një vendim të heshtur që ndryshon drejtimin e një jete. Kjo është një prej tyre. Nga një cikël rrëfimesh që do të pasojnë në ditët në një kohë të mëvonshme, platforma epokababahekurannikollari.com sjell për lexuesit një histori të përjetuar një dëshmi atipike që hedh dritë mbi dimensionin njerëzor dhe shpirtëror të   Baba Hekuran Nikollarit.

Një takim që nuk ishte rastësi

aaaaaaaa.jfif

Familja  Jaçe e bekuar nga Baba Hekurani

Ishte 10 mars i vitit 2004. Në zonën e  Piskovës së Përmetit, Baba Hekurani zhvillonte takime të vazhdueshme me banorët, duke folur për rikthimin e besimit dhe për ndërtimin e teqesë së Alipostivanit. Ai ndalej në çdo fshat, dëgjonte, bisedonte, dhe mbi të gjitha - kuptonte. Mes të pranishmëve në një nga këto takime ndodhej edhe Agron Jaçe, banor i zonës. Një prezantim i thjeshtë. Një përshëndetje si shumë të tjera. Por ajo që pasoi nuk ishte e zakonshme. “Ai dukej sikur dinte gjithçka për mua,” - kujtohet sot Agroni.

Një premtim pranë një varri

Pak kohë më pas, në një prej udhëtimeve drejt Alipostivanit, Baba Hekurani u ndal pranë varrezave të Piskovës. Vështrimi i tij u ndal mbi varrin e një të riu, vetëm 31 vjeç. Pyeti për të. Mësoi historinë e tij. Dhe pa hezitim tha: “Unë djalin e këtij  jetim do ta ndihmoj.” Ai djalë ishte Agron Jaçe. Nuk ishte një fjali e thënë në kalim. Ishte një premtim që do të merrte jetë.

Nga fjala në vepër

Agroni u ftua të punonte si shofer në teqenë e Alipostivanit. Me kalimin e kohës, ai u bë shoferi i tij personal për rreth dhjetë vite. Por më shumë se kaq, u bë pjesë e një marrëdhënieje që tejkalonte çdo përkufizim formal. “Ai u bë pjesë e familjes sonë,” – rrëfen  e bija,  Kledisa Jaçe. “Kishim gjithmonë dikë pranë që na mbështeste dhe na tregonte rrugën. Për mua, ai ishte busulla ime.”
Familja e tyre ishte e thjeshtë, me pesë anëtarë dhe me të ardhura modeste nga bujqësia. Por prania e Baba Hekuranit solli një ndryshim që nuk matet me të ardhura. “Ne u rritëm me frymën e besimit, të sakrificës dhe të ndihmës ndaj të tjerëve. Nuk e shpreh dot me fjalë sa me fat ndihemi që morëm bekimin e tij.”

Një njeri mes njerëzve

Për familjen Jaçe, Baba Hekurani nuk ishte thjesht një klerik. Ai ishte një njeri që jetonte me të njëjtat kushte, që hante bukë me punëtorët dhe i konsideronte ata pjesë të familjes së tij. “Ishte vizionar, por mbi të gjitha i thjeshtë. E karakterizonte besnikëria dhe përkushtimi,” - thonë ata. Sot, kur kujtimet rikthehen, emocionet janë ende të freskëta.
“Lotët nuk na mbarojnë kur flasim për të.” Sepse disa njerëz nuk largohen kurrë plotësisht. Ata mbeten në mënyrën si të kanë ndihmuar, në rrugën që të kanë treguar, në njeriun që je bërë. Dhe ndoshta, kjo është forma më e lartë e pranisë.

bottom of page